LEGJISLACIONI

0

LIGJI Nr.9902, dt 17.4.2008 “PËR MBROJTJEN E KONSUMATORËVE”
LIGJ

Nr.9902, datë 17.4.2008

PËR MBROJTJEN E KONSUMATORËVE[1]

(I ndryshuar me Ligjin Nr.10 444, datë 14.7.2011)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

PJESA I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti

Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e interesave të konsumatorëve në treg, si dhe përcaktimi i rregullave dhe ngritja e institucioneve përkatëse për të mbrojtur të drejtat e konsumatorëve.

Neni 2

Fusha e zbatimit

Ky ligj përfshin të gjitha llojet e marrëdhënieve ndërmjet tregtarëve dhe konsumatorëve, që kanë të bëjnë me mallrat e konsumatoreve apo shërbime. Dispozitat e këtij ligji nuk do të zbatohen, kur në dispozitat e tjera ligjore për fushat përkatëse jepen trajtime më të favorshme për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

Neni 3

Përkufizime

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Çmim për njësi i mallit” është çmimi përfundimtar, përfshirë TVSH-në dhe të gjitha taksat e tjera, për një kilogram, një litër, një metër, një metër katror, një metër kub të mallit, ose për një njësi sasie të veçantë, të ndryshme nga to, pjesë e njësive ligjore të matjes, të përdorura në Republikën e Shqipërisë, që ka lidhje me tregtimin e mallrave specifike.

Kur natyra e mallit nuk e lejon përdorimin e njësive të sipërpërmendura, çmim për njësi i mallit do të konsiderohet çmimi për mallin e shitur si një artikull të veçantë ose më vete.

2. “Çmim i shitjes së mallit” është çmimi përfundimtar për një njësi të mallit ose për sasinë e dhënë të tij, përfshirë TVSH-në dhe të gjitha taksat e tjera.

3. “Garanci kontraktuale” është çdo marrje përsipër, pa pagesë shtesë, e detyrimeve nga shitësi apo prodhuesi ndaj konsumatorit, për rimbursimin e çmimit të paguar ose për zëvendësimin apo për riparimin e mallit, për ta sjellë në përputhje me kushtet e vëna në deklaratën e garancisë ose në publicitetin përkatës.

4. “Vendosje në treg” është bërja e disponueshme, për herë të parë, në tregun shqiptar.

5. “Bërje e disponueshme e produktit në treg” është çdo furnizim në tregun shqiptar i produktit në rrjedhën e një veprimtarie tregtare, për shpërndarje, konsum ose përdorim të produktit, me ose pa pagesë.

6. “Konsumator” është çdo person, i cili blen ose përdor mallra apo shërbime për plotësimin e nevojave vetjake, për qëllime që nuk kanë lidhje me veprimtarinë tregtare ose ushtrimin e profesionit.

7. “Mall për konsumatorët”, më poshtë mall, përfshirë edhe mallin, që përdoret në kuptim të ofrimit të një shërbimi, është çdo send i luajtshëm ose i paluajtshëm, pavarësisht nëse është i ri, i përdorur apo i riparuar, i parashikuar për përdorim për konsumatorët ose që mund të përdoret prej tyre, edhe nëse nuk është i parashikuar për ta, në kushte të arsyeshme, të parashikueshme, që bëhet i disponueshëm në treg gjatë një veprimtarie tregtare.

8. “Mallra të rezervuara” janë mallrat, që veçohen nga të tjerat prej shitësit, për t’i shërbyer një kategorie të përcaktuar personash, për të cilat tregtari ose shitësi është shprehur paraprakisht.

9. “Dorëzim i mallit” është marrja fizike e mallit në posedim nga konsumatori, vetëm në rast se palët nuk kanë rënë dakord ndryshe.

10. “Parullë” është motoja, që shoqëron mesazhin e publikimit ose të njoftimit.

11. “Publicitet” është çdo formë prezantimi për tregtinë, biznesin, zanatin ose profesionin, për të promovuar furnizimin e mallrave apo shërbimeve, përfshirë edhe të drejtat dhe detyrimet.

12.“Subjekti që promovon mallrat ose shërbimet e tij” janë prodhuesit, shitësit ose ofruesit e shërbimeve, që bëjnë publicitet për mallrat dhe shërbimet e tyre.

13.“Shërbime” janë shërbimet e përcaktuara për t’iu ofruar konsumatorëve, sipas çdo mënyre të parashikuar në Kodin Civil.

14. “Tregtar” është çdo person fizik ose juridik, i cili vepron për qëllime që lidhen me veprimtarinë e tij ekonomike, tregtinë, biznesin, zanatin ose profesionin, si dhe cilido, që vepron në emër ose në interes të tregtarit.

15.“Praktikë tregtare” është çdo veprim, përjashtim, mënyrë sjelljeje ose përfaqësim, komunikim tregtar, përfshirë këtu publicitetin dhe tregtimin nga tregtari, që lidhet drejtpërdrejt me promovimin, shitjen apo furnizimin e një malli te konsumatorët.

15.1. “Ftesë për blerje” është një komunikim tregtar, që tregon në një mënyrë të përshtatshme, nëpërmjet mjeteve të përdorura të komunikimit tregtar, karakteristikat e produktit apo të shërbimit dhe çmimin, duke i mundësuar në këtë mënyrë konsumatorit kryerjen e blerjes;

16.“Kod i sjelljes” është një marrëveshje ose paketë rregullash të pasanksionuara në ligje, rregullore apo dispozita administrative, e cila përcakton sjelljen e tregtarëve, që marrin përsipër t’i binden kodit për një ose më shumë praktika të veçanta tregtare ose sektorë biznesi.

17. “Prodhues” është çdo person fizik apo juridik, sipas përkufizimit të bërë në ligjin nr. 9779, datë 16.7.2007 “Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore” .

18. “Shitje promocionale” është shitja e një sasie të caktuar malli të një prodhuesi, në një vend dhe në një kohë të veçantë, me një çmim më të ulët se çmimi i mallit në shitje të rregullt.

19. “Mjet i qëndrueshëm” është çdo mjet, i cili i mundëson konsumatorit ruajtjen e informacionit të drejtuar personalisht atij, në mënyrë që të lejojë referimin për qëllime informimi, në të ardhmen, për një periudhë kohe të përshtatshme, dhe që lejon riprodhimin e pandryshuar të informacionit të ruajtur.

Neni 4

Të drejtat e konsumatorëve

Të drejtat bazë të konsumatorëve janë:

a) e drejta e mbrojtjes së shëndetit, mjedisit dhe sigurisë së jetës;

b) e drejta e mbrojtjes së interesave ekonomikë;

c) e drejta e ankimit;

ç) e drejta për dëmshpërblim;

d) e drejta e edukimit;

dh) e drejta e marrjes së informacionit;

e) e drejta e përdorimit të shërbimeve publike;

ë) e drejta e mbrojtjes ligjore;

f) e drejta e organizimit në shoqata ose bashkime për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe e drejta e përfaqësimit në organet e tyre vendimmarrëse.

PJESA II

SIGURIA E KONSUMATORIT

Neni 5

Kërkesat e sigurisë së përgjithshme

1. Tregtarët janë të detyruar të vendosin në treg vetëm mallra të sigurta, në përputhje me ligjin nr.9779, datë 16.7.2007 “Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore”.

2. Ofruesit e shërbimeve duhet të ofrojnë vetëm shërbime të sigurta, duke marrë parasysh aspektet e mëposhtme:

a) karakteristikat e shërbimit;

b) efektin e shërbimit mbi mallrat dhe shërbimet e tjera;

c) paraqitjen e shërbimeve, paralajmërimet ose informacionin në lidhje me shërbimet;

ç) kategoritë e konsumatorëve të rrezikuar, kur përdorin shërbimin, veçanërisht fëmijët dhe të moshuarit;

d) rreziqet e mundshme që mund të shkaktojë shërbimi nëse nuk përdoret siç duhet.

Neni 6

Përgjegjësia e prodhuesit

Prodhuesi është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga të metat e mallit të tij, sipas dispozitave të Kodit Civil dhe ligjeve në fuqi.

PJESA III

INFORMIMI I KONSUMATORIT

Neni 7

Detyrimi i përgjithshëm i informimit

1. Tregtarët janë të detyruar, në kufijtë e veprimtarive përkatëse, t’u japin konsumatorëve të dhëna të plota dhe të sakta për mallrat dhe shërbimet e vendosura në treg ose të parashikuara për t’u vendosur në treg.

2. Të dhënat duhet të jenë të vërteta, të sakta dhe të qarta për të gjitha karakteristikat e mallrave dhe shërbimeve, si edhe për kushtet e tregtimit të tyre. Këto të dhëna duhet të përmbajnë karakteristikat e mëposhtme:

a) natyrën, identitetin e prodhuesit, çmimin, cilësinë, sasinë, dobinë, origjinën, afatin e përdorimit, mënyrën e prodhimit dhe të përdorimit, mënyrën e mirëmbajtjes dhe garancinë e mallrave dhe të shërbimeve;

b) rreziqet, që lidhen me mallrat dhe shërbimet, kur këto rreziqe nuk janë të kuptueshme pa paralajmërimin përkatës.

c) kushtet e përgjithshme të kontratave që i ofrohen konsumatorit.

Neni 8

Etiketimi

Shitësit janë të detyruar të sigurojnë që, në mallrat për shitje, të jenë të shënuara në gjuhën shqipe, dukshëm dhe kuptueshëm:

a) emërtimi i mallit, adresa e fabrikuesit dhe/ose importuesit, marka ose çdo shenjë tjetër dalluese e fabrikuesit, importuesit ose furnizuesit, pesha, sasia, përmasa ose dimensionet, si dhe çdo informacion tjetër që, në vartësi të natyrës së mallit, është i domosdoshëm për identifikimin ose përdorimin e tij;

b) informacion për jetëgjatësinë minimale ose datën e skadimit, nëse ka.

PJESA VII

Kontrata te vecanta

KREU I

SHITJA E ENERGJISË, SHËRBIMET E UJIT

DHE TË TELEKOMUNIKACIONIT

Neni 40

Mënyra e faturimit

1. Shitja e energjisë dhe e furnizimit me ujë llogaritet në bazë të konsumit real dhe vlerësohet nëpërmjet aparateve matëse.

2. Vlera e konsumit real paraqitet në një faturë, së bashku me çmimin, në mënyrë të qartë, të lexueshme dhe jo të dyshimtë.

3. Fatura për shërbimet e telekomunikacionit, shpërndarë konsumatorit, duhet të përmbajë informacion të plotë për listën e numrave të telefonave të thirrur, kohën dhe zgjatjen e telefonatave të bëra, numrin e impulseve dhe çmimin total për periudhën e caktuar.

4. Faturat e paraqitura konsumatorit duhet t’i japin atij mundësinë për të verifikuar me përpikëri llogaritjen e shitjes ose shërbimit të siguruar në një periudhë të caktuar.

5. Faturat duhet t’i dorëzohen konsumatorit në vendin e banimit, në mënyrë zyrtare (me postë ose dorazi) dhe jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë kalendarike përpara afatit të pagesës së tyre.

6. Të gjitha shërbimet ndaj konsumatorit për hartimin dhe dorëzimin e faturave janë pa pagesë.

Neni 41

Detyrimet e tregtarëve

1. Tregtari garanton siguri, cilësi dhe vazhdueshmëri të shërbimeve.

2. Sigurimi i lidhjes, i rrjetit të shpërndarjes, si dhe i shërbimit të mirëmbajtjes për energjinë, ujin dhe telekomunikacionin bëhen për të gjithë konsumatorët në kushte të njëjta dhe jodiskriminuese.

3. Konsumatorit i lind e drejta për t’u dëmshpërblyer:

a) në rastet e ndërprerjeve teknike, të cilat nuk janë shkaktuar nga forca madhore ose nga vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe kur nuk janë lajmëruar më parë dhe kanë penguar konsumatorin nga përdorimi i këtyre shërbimeve për një periudhë më të gjatë se 24 orë;

b) kur shërbimi i ofruar është me të meta dhe i ka sjellë dëme konsumatorit.

KREU II

KONTRATAT E PËRDORIMIT ME AFAT TË PRODUKTIT TË PUSHIMIT AFATGJATË, TË RISHITJES DHE TË SHKËMBIMIT

Neni 42

Kuptimi i kontratave të përdorimit me afat të produktit të pushimit afatgjatë, të rishitjes dhe të shkëmbimit

1. Kontratë e përdorimit me afat është një kontratë me afat më shumë se një vit, sipas së cilës konsumatori, sipas rastit, siguron të drejtën e përdorimit të akomodimit për një ose më shumë net, për më shumë se një periudhë.

2. Kontratë e produktit të pushimit afatgjatë është një kontratë me afat më shumë se një vit, sipas së cilës konsumatori, sipas rastit, siguron kryesisht të drejtën e përfitimit të uljeve të çmimit ose përfitime të tjera, në lidhje me akomodimin, veçmas ose së bashku me shërbimin e udhëtimit apo ndonjë shërbim tjetër.

3. Kontratë rishitjeje është një kontratë, sipas së cilës tregtari, sipas rastit, ndihmon konsumatorin të shesë ose të blejë një produkt të përdorimit me afat ose të një produkti të pushimit afatgjatë.

4. Kontratë e shkëmbimit është një kontratë, sipas së cilës konsumatori, sipas rastit, bashkohet në një sistem shkëmbimi, i cili i lejon konsumatorit mundësinë e përdorimit të akomodimit ose shërbime të tjera, në shkëmbim të dhënies përkohësisht te persona të tjerë të mundësisë së përdorimit të përfitimeve të të drejtave, që rrjedhin nga kontrata e konsumatorit e përdorimit me afat.”.

Neni 43

Detyrime të përgjithshme dhe të veçanta

1. Në një kohë të arsyeshme, përpara se konsumatori të pranojë ndonjë ofertë ose të lidhë një kontratë të përdorimit me afat të produktit të pushimit afatgjatë, të rishitjes apo të shkëmbimit, tregtari i siguron atij, në mënyrë të qartë e të kuptueshme, të gjithë informacionin e nevojshëm.

2. Tregtari i siguron konsumatorit kontratën e përdorimit me afat të produktit të pushimit afatgjatë, të rishitjes apo të shkëmbimit, me shkrim ose me një mjet tjetër të qëndrueshëm, në gjuhën shqipe.

3. Kur objekti i kontratës së përdorimit me afat të produktit të pushimit afatgjatë, të rishitjes apo të shkëmbimit, është i vendosur në një vend të huaj, tregtari i siguron konsumatorit një përkthim të noterizuar dhe të certifikuar të kontratës në gjuhën shqipe.

4. Konsumatori ka të drejtën e heqjes dorë nga kontratat e përdorimit me afat të produktit të pushimit afatgjatë, të rishitjes apo të shkëmbimit, pa penalizim dhe pa dhënë arsye, brenda një afati prej
14 ditësh kalendarike, duke filluar nga data e lidhjes së kontratës ose nga data kur palët nënshkruajnë një kontratë paraprake detyruese apo nga data kur konsumatori merr kontratën a çdo kontratë paraprake detyruese, në qoftë se kjo ditë është më vonë se data e lidhjes së kontratës apo kontratës paraprake.

5. Kur çmimi i kontratës së përdorimit me afat të produktit të pushimit afatgjatë, të rishitjes apo të shkëmbimit, mbulohet plotësisht ose pjesërisht nga kredia e dhënë konsumatorit nga tregtari ose nga një palë e tretë, në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet palës së tretë dhe tregtarit, marrëveshja e kredisë përfundon pa penalizim për konsumatorin, nëse konsumatori ushtron të drejtën e heqjes dorë nga kontratat e përdorimit me afat, të produktit të pushimit afatgjatë, të rishitjes apo të shkëmbimit.”.

KREU III

KREDIA KONSUMATORE DHE DETYRIMET PËR TË

Neni 44

Kredia konsumatore

1. Marrëveshja e kredisë konsumatore është çdo marrëveshje, ku një kredidhënës i jep ose i premton t’i japë një konsumatori një kredi, në formën e një pagese të shtyrë, huadhënies ose marrëveshjeve të tjera, të ngjashme, financiare.

2. Marrëveshjet për kushtet mbi bazën e vazhdueshmërisë së një shërbimi apo të furnizimit me mallra të të njëjtit lloj dhe në të njëjtën sasi, ku konsumatori ka të drejtën e pagesës për zgjatjen e këtyre kushteve nëpërmjet kësteve, nuk do të vlerësohen marrëveshje kredie.

3. Përjashtohen nga fusha e veprimit të këtij kreu marrëveshjet e kredisë:

a) që janë të siguruara me anë të hipotekës ose nga ndonjë sigurim tjetër i krahasueshëm, që përdoret zakonisht mbi pronën e paluajtshme, apo të siguruara nëpërmjet një të drejte që lidhet me pronën e paluajtshme;

b) qëllimi i të cilave është fitimi/marrja ose ruajtja e të drejtave të pronësisë mbi tokën ose mbi ndërtesa ekzistuese apo të projektuara;

c) që përfshijnë një shumë totale të kredisë më pak se 30 mijë lekë ose më shumë se 10 milionë lekë;

ç) marrëveshjet e qirasë ose lizingut ku detyrimi për blerjen e objektit të marrëveshjes nuk është përcaktuar në vetë marrëveshjen ose në ndonjë marrëveshje të veçantë. Një detyrim i tillë do të prezumohet se ekziston, nëse është vendosur kështu në mënyrë të njëanshme nga kreditori;

d) në formën e një overdrafti dhe ku kredia duhet të shlyhet brenda një muaji;

dh) ku kredia është dhënë pa interes dhe pa ndonjë detyrim/pagesë tjetër dhe marrëveshjet e kredisë, sipas kushteve të të cilave kredia duhet të shlyhet brenda tre muajve dhe janë për t’u paguar vetëm detyrime me vlerë të vogël, të papërfillshme;

e) ku kredia është dhënë nga punëdhënësi punonjësve të tij, si një veprimtari dytësore pa interes ose me një normë vjetore të përqindjes së pagesave/detyrimeve më të ulët se ato që ekzistojnë në treg dhe që përgjithësisht nuk janë të ofruara për publikun;

ë) që janë rezultat i një zgjidhjeje të arritur në gjykatë ose përpara një autoriteti tjetër ligjor;

f) që kanë të bëjnë me një pagesë të shtyrë, pa detyrime/pagesa, të një borxhi ekzistues;

g) prej lidhjes së të cilave konsumatorit i kërkohet që të depozitojë një send si siguri në ruajtje të kreditorit dhe ku përgjegjësia e konsumatorit ndaj këtij sendi të lënë peng është rreptësisht e kufizuar;

gj) që kanë të bëjnë me huat e dhëna ndaj një publiku të kufizuar, në bazë të një dispozite ligjore, me qëllim të interesit të përgjithshëm dhe me norma interesi më të ulëta se ato që ekzistojnë në treg, ose pa interes, apo në kushte të tjera që janë më të favorshme për konsumatorin se ato që ekzistojnë në treg dhe me norma interesi jo më të larta se ato që ekzistojnë në treg.

4. Kredia konsumatore rregullohet me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë.

Neni 45

Detyrime të tjera

1. Çdo publicitet, në lidhje me marrëveshjet e kredisë, e cila tregon një normë interesi apo ndonjë shifër, në lidhje me çmimin e kredisë për konsumatorët, duhet të përfshijë informacionin standard të përcaktuar në këtë nen.

Ky informacion standard duhet të jepet në mënyrë të qartë, të saktë dhe të dukshme, me anë të një shembulli përfaqësues, ku të specifikohen:

a) norma e huas, fikse ose të ndryshueshme, ose të dyja së bashku, me veçoritë e çdo pagese/detyrimi të përfshira në koston totale të kredisë për konsumatorin;

b) shuma totale e kredisë;

c) norma vjetore e përqindjes së pagesave/detyrimeve apo norma efektive e interesit (NEI), siç përcaktohet me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë;

ç) nëse është e zbatueshme, kohëzgjatja e marrëveshjes së kredisë;

d) në rastin e një kredie në formën e një pagese të shtyrë, për një mall ose shërbim të veçantë, çmimi në para (kesh) dhe shuma e çdo pagese në avancë;

dh) shuma totale e pagesës për konsumatorin dhe shumat e pagesave për këstet”.

1.1. Në një kohë të arsyeshme, përpara se konsumatori të pranojë ndonjë ofertë ose të lidhë kontratë, kreditori dhe, kur është e zbatueshme, ndërmjetësuesi i kredisë, i sigurojnë konsumatorit, në bazë të kushteve të kredisë dhe kushteve të ofruara nga kreditori, si dhe nëse është e zbatueshme, preferencave të shprehura apo informacionit të dhënë nga ana e konsumatorit, të dhënat e nevojshme për të krahasuar ofertat e ndryshme, në mënyrë që të marrë, sipas këtyre të dhënave, një vendim për lidhjen e një marrëveshjeje kredie.

Një informacion i tillë, i dhënë me shkrim apo me një mjet tjetër të qëndrueshëm, duhet të jetë sipas formës/formave standarde të informacionit të kredisë konsumatore, të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.

1.2. Në kuptim të këtij neni, “ndërmjetësuesi i kredisë” është çdo person fizik ose juridik, i cili nuk vepron si kreditor, por për qëllime që lidhen me tregtinë, biznesin ose profesionin e tij:

i) paraqet ose ofron marrëveshje kredie te konsumatorët;

ii) ndihmon konsumatorët për punën përgatitore, në lidhje me marrëveshjet e kredisë, ndryshe nga ato të përmendura në nënndarjen “i”;

iii) lidh marrëveshje kredie me konsumatorët në emër të kreditorit, mbi bazën e një tarife, që mund të jetë me para ose me ndonjë formë tjetër financiare, për të cilën është rënë dakord.

2. Konsumatori ka të drejtë të heqë dorë nga marrëveshja e kredisë, pa dhënë asnjë arsye, brenda një afati prej 14 ditësh kalendarike, duke filluar nga data e lidhjes së marrëveshjes së kredisë ose nga data kur konsumatori merr dijeni për kushtet kontraktuale, nëse kjo e fundit është e mëvonshme.

2.1. Konsumatori ka të drejtë, në çdo kohë, të shlyejë plotësisht ose pjesërisht detyrimet e tij, sipas marrëveshjes së kredisë. Në këto raste, konsumatorit i jepet e drejta e reduktimit të kostos totale të kredisë, që konsiston në uljen e interesit dhe kostove për periudhën e mbetur të kontratës së kredisë.

3. Marrëveshjet e kredisë hartohen me shkrim ose me një mjet tjetër të qëndrueshëm dhe një kopje e saj u jepet palëve.

4. Marrëveshja e shkruar përfshin të gjithë informacionin, që lidhet me normën vjetore, në përqindje, të detyrimit, kushtet për ndryshimin e kësaj të fundit, shumat, numrin dhe frekuencën ose datat e pagesave, që duhet të kryejë konsumatori për të shlyer kredinë, si dhe çfarëdo kushti tjetër thelbësor të kontratës.

5. Ekzistenca e një marrëveshjeje kredie nuk ndikon në asnjë mënyrë mbi të drejtat e konsumatorit ndaj furnizuesit të mallrave ose shërbimeve, të blera nëpërmjet një marrëveshjeje të tillë, në rastet kur mallrat ose shërbimet nuk janë furnizuar ose janë ndryshe, jo në përputhje me kushtet e kontratës për furnizimin e tyre.

6. Kur konsumatori, për blerjen e mallrave ose përfitimin e shërbimeve, bëhet palë në një marrëveshje kredie me një person të ndryshëm nga furnizuesi i tyre dhe ekziston një lidhje e ngushtë tregtie ndërmjet kredidhënësit dhe furnizuesit të mallit ose shërbimit, konsumatori ka të drejtën të kërkojë dëmshpërblim nga kredidhënësi, kur mallrat ose shërbimet, objekt i marrëveshjes se kredisë, nuk janë furnizuar ose janë ndryshe, jo në përputhje me kushtet e kontratës për furnizimin e tyre.

KREU IV

KONTRATAT E PAKETAVE TË UDHËTIMIT

DHE DETYRIMET PËR TO

Neni 46

Kontratat e paketave të udhëtimit

Kontratat e paketave të udhëtimit janë kontrata që:

a) i sigurojnë ose ofrojnë t’i sigurojnë konsumatorit, me një çmim gjithëpërfshirës, një kombinim të parapërgatitur të jo më pak se dy nga llojet e mëposhtme të shërbimeve:

i) transporti;

ii) strehimi;

iii) shërbime të tjera turistike, që nuk lidhen drejtpërsëdrejti me transportin ose strehimin dhe që përbëjnë pjesë të konsiderueshme të paketës;

b) mbulojnë një periudhë kohore prej jo më pak se 24 orë ose që përfshijnë strehimin, të paktën për një natë.

Neni 47

Detyrime të përgjithshme e të veçanta

1. Ofruesi i paketës është i detyruar t’i sigurojë konsumatorit informacionin e nevojshëm, i cili nuk duhet të jetë çorientues, në lidhje me paketën turistike, çmimin e paketës dhe për çfarëdo kushti tjetër, që i takon kontratës së paketës së udhëtimit.

2. Në rastet kur konsumatorit i vihet në dispozicion nga tregtari apo organizatori i paketës së udhëtimit një broshurë, në të duhet të shënohen në mënyrë të lexueshme, të hollësishme dhe të saktë të gjitha të dhënat për:

a) çmimin e paketës, shumën ose përqindjen e çmimit, që duhet paguar në formën e paradhënies dhe kalendarin për pagesën e shumës së mbetur;

b) destinacionin dhe itinerarin;

c) mjetet dhe kategoritë e transportit që do të përdoren;

ç) tipin e strehimit, vendndodhjen dhe kategorinë;

d) planin e vakteve të ngrënies;

dh) kërkesat për pasaportat dhe vizat.

PJESA VIII

INSTITUCIONET PËR MBROJTJEN E KONSUMATORËVE

KREU I

ORGANET SHTETËRORE

Neni 48

Organet kompetente

Institucionet shtetërore kompetente janë organet kryesore përgjegjëse për zhvillimin dhe zbatimin e politikave për mbrojtjen e konsumatorëve, për të mbrojtur të drejtat bazë të konsumatorëve, në mënyrë të veçantë të grupeve të konsumatorëve më të ndjeshëm, si: fëmijët, të moshuarit, të varfrit, invalidët, të sëmurët, si dhe personat me aftësi të kufizuara mendore e fizike.

Neni 49

Organi përgjegjës

1. Ministria përgjegjëse për fushën e tregtisë, nëpërmjet strukturës administrative përkatëse (më poshtë struktura përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve), harton politikat dhe siguron instrumentet rregulluese të mbrojtjes së konsumatorit, si dhe zbatimin efektiv të këtij ligji.

2. Përgjegjësitë kryesore të kësaj strukture janë:

a) studimi dhe paraqitja e propozimeve për hartimin dhe zhvillimin e politikës kombëtare për mbrojtjen e konsumatorit;

b) përgatitja dhe shqyrtimi i akteve normative dhe masave të tjera rregulluese, që lidhen me mbrojtjen e konsumatorit;

c) bashkërendimi i politikave dhe i veprimtarive për mbrojtjen e konsumatorit me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera shtetërore;

ç) marrja e masave bashkërenduese për zbatimin e dokumenteve strategjike në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve;

d) propozimi i masave të nevojshme për të garantuar nivel të lartë të mbrojtjes së konsumatorit;

dh) marrja e nismave për hartimin e kodeve të sjelljes ose kontratave standarde, në bashkëpunim me operatorët ekonomikë;

e) bashkëpunimi me organet qendrore e vendore për mbrojtjen e konsumatorëve;

ë) bashkëpunimi me shoqatat e konsumatorëve;

f) mbikëqyrja e zbatimit të këtij ligji;

g) zhvillimi i sistemeve të trajtimit të ankesave të konsumatorëve dhe i skemave alternative për zgjidhjen mosmarrëveshjeve;

gj) mbështetja e veprimtarive të shoqatave të konsumatorëve;

h) bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojës me institucionet analoge, europiane dhe ndërkombëtare;

i) zhvillimi i fushatave për ndërgjegjësimin e konsumatorëve, sensibilizimi dhe njoftimi i vazhdueshëm i konsumatorëve.

Neni 50

Këshilli bashkërendues

1. Për shqyrtimin e politikave dhe të masave organizative në mbrojtje të konsumatorit, krijohet Këshilli Bashkërendues.

2. Këshilli Bashkërendues përbëhet nga përfaqësues të organeve të administratës shtetërore, të lidhura drejtpërdrejt ose jo me mbrojtjen e interesave të konsumatorëve, si dhe nga organizatat jofitimprurëse të konsumatorëve dhe shoqatat e biznesit.

3. Përbërja e Këshillit Bashkërendues miratohet me urdhër të Kryeministrit.

4. Këshilli Bashkërendues kryesohet nga ministri përgjegjës për fushën e tregtisë.

5. Rregullorja e funksionimit të Këshillit Bashkërendues miratohet nga ministri përgjegjës për fushën e tregtisë. Struktura përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve, e përcaktuar sipas nenit 49 të këtij ligji, ngarkohet me funksionet e sekretariatit teknik të Këshillit Bashkërendues.

KREU II

organet zbatUESE

Neni 51

Struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut

1. Struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut, sipas përcaktimit të nenit 16 të ligjit nr. 9779, datë 16.7.2007 “Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore”, kontrollon zbatimin e neneve 5, 7, 8, 9, 11, 12, 18, 19, 20 e 21 të këtij ligji.

2. Struktura përgjegjëse e mbikëqyrjes së tregut bashkëpunon ngushtë me strukturën përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve dhe i raporton asaj.

Neni 52

Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve

1. Për shqyrtimin e shkeljeve dhe marrjen e masave për zbatimin e dispozitave të këtij ligji, si dhe të akteve nënligjore të dala në zbatim të këtij ligji, me përjashtim të funksioneve që kryen struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut, të përcaktuara në nenin 51 të këtij ligji, krijohet Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve.

Bëjnë përjashtim rastet kur ligje të veçanta përcaktojnë struktura të tjera përgjegjëse.

2. Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve përbëhet nga 5 anëtarë:

a) 2 përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për fushën e tregtisë, njëri prej të cilëve nga struktura përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve;

b) 2 përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë;

c) përfaqësues nga shoqëria civile me përvojë në fushën e ekonomisë, dhe jurisprudencës.

Anëtarët e Komisionit, referuar në shkronjat “a” dhe “b”, janë nëpunës të shërbimit civil, të propozuar nga ministri përkatës.
Kryetari dhe anëtarët e Komisionit emërohen dhe shkarkohen me urdhër të Kryeministrit. Kryetari i Komisionit emërohet ndërmjet dy përfaqësuesve të ministrisë përgjegjëse për fushën e tregtisë dhe duhet të ketë të paktën 3 vjet përvojë pune në fushën e mbrojtjes së konsumatorëve.

3. Mandati i anëtarëve të komisionit është 5-vjeçar, me të drejtë përsëritjeje.

4. Për identifikimin e shkeljeve të dispozitave të referuara në pikën 1 të këtij neni, shfrytëzohen konstatimet, kërkesat, ankesat dhe çdo lloj tjetër informacioni, që përbëjnë shkak të mjaftueshëm për shqyrtim.

5. Për verifikimin e shkeljeve të dispozitave të referuara në pikën 1 të këtij neni, komisioni bashkëpunon me strukturën përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve dhe me strukturën përgjegjëse të mbikëqyrjes së tregut.

6. Struktura përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve ngarkohet me funksionet e sekretariatit teknik të këtij komisioni.

7. Mënyra e funksionimit, mënyra e pagesës së Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe përcaktimi i procedurave të vlerësimit të shkeljeve përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

8. Komisioni harton një raport në fund të çdo viti dhe sa herë që i kërkohet, rreth veprimtarisë së tij dhe e publikon atë në faqen e tij të internetit të ministrisë përgjegjëse për tregtinë.

Neni 52/1

Detyrimi për dhënie informacioni

Tregtarët janë të detyruar të japin, në mënyrë të qartë, të vërtetë e jo të mangët, të gjithë informacionin e kërkuar nga organet zbatuese dhe struktura përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve, sipas dispozitave të këtij ligji.

KREU III

ORGANIZATAT JOFITIMPRURËSE

Neni 53

Shoqatat e konsumatorëve

1. Konsumatorët kanë të drejtë, në baza vullnetare, të krijojnë shoqata të pavarura konsumatorësh, në mbrojtje të interesave të tyre, sipas ligjit në fuqi.

2. Shoqatat e konsumatorëve janë organizata të pavarura nga tregtarët dhe kanë si qëllim, të përcaktuar me statut, mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

3. Shoqatat e konsumatorëve duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme në mënyrë që të përfaqësojnë interesat kolektivë të konsumatorëve:

a) anëtarësi aktive;

b) përvojë;

c) shtrirje gjeografike.

4. Nëpunësit e organeve administrative shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve nuk lejohen të kenë funksione drejtuese në shoqatat e konsumatorëve.

Neni 54

Të drejtat e shoqatave të konsumatorëve

1. Shoqatat e konsumatorëve kanë të drejtë:

a) të edukojnë, të informojnë dhe të sensibilizojnë vazhdimisht konsumatorët për të drejtat e tyre;

b) të organizojnë dhe të drejtojnë qendrat për këshillimin e konsumatorëve, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga ministri përgjegjës për fushën e tregtisë;

c) të ndjekin dhe të trajtojnë ankesat e konsumatorëve;

ç) të shkëmbejnë të dhëna me organet shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve;

d) të organizojnë testime të pavarura për cilësinë dhe sigurinë e mallrave dhe të shërbimeve në treg dhe t’i bëjnë publike rezultatet e këtyre testimeve;

dh) të ndërmarrin veprime ligjore në gjykatë ndaj tregtarëve, në rastet e shkeljes së të drejtave të konsumatorëve.

2. Burimet financiare të shoqatave në mbrojtje të konsumatorit janë të njëjta me ato të parashikuara në legjislacionin përkatës për organizatat jofitimprurëse.

3. Ministria përgjegjëse për fushën e tregtisë mbështet shoqatat e konsumatorëve me ndihmë financiare brenda kufijve të buxhetit të miratuar. Mënyra e shpërndarjes kryhet nëpërmjet procedurave të tenderimit.

KREU IV

VENDIMET PËR DALIMIN E SHKELJES

Neni 55

Ndalimi i shkeljes

Në rastet e veprimeve, që bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, të cilat dëmtojnë interesat kolektivë të konsumatorëve, struktura përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve dhe shoqatat e konsumatorëve, të cilat janë deklaruar përfaqësuese të interesave kolektivë të konsumatorëve, sipas nenit 53 të këtij ligji, mund t’i drejtohen Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe/ose gjykatës për të kërkuar marrjen e vendimit për:

a) pushimin ose ndalimin e shkeljes;

b) publikimin e pjesshëm ose të plotë të vendimit të marrë në zbatim të shkronjës “a” të kësaj pike, në një formë, që vlerësohet e përshtatshme dhe/ose ky publikim të jetë në një formë të tillë, që t’i shërbejë eliminimit të efekteve negative që sjell kjo shkelje;

c) pagesat në Buxhetin e Shtetit nga i padituri humbës, në rastet e mospajtimit me vendimin brenda afatit të përcaktuar nga komisioni/gjykata të një shume të caktuar për secilën ditë vonese pas këtij afati ose për secilën shkelje tjetër të ngjashme;

ç) publikimet, sipas shkronjës “b” të kësaj pike, kryhen nga ministria përgjegjëse për fushën e tregtisë. Shpenzimet për publikimin përballohen nga pala humbëse.

KREU V

TRAJTIMI I ANKESAVE TË KONSUMATORËVE

Neni 56

Ankesat e konsumatorëve

1. Konsumatori, kur i shkelen të drejtat, ka të drejtën e paraqitjes së ankesës te:

a) struktura administrative shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve;

b) shoqatat e konsumatorëve;

c) Avokati i Popullit;

ç) gjykata e arbitrazhit;

d) organet gjyqësore;

dh) çdo strukturë tjetër, e krijuar posaçërisht për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve jashtë gjyqësorit.

1.1. Ngarkohet ministri, që mbulon tregtinë, për nxjerrjen e udhëzimit për përcaktimin e procedurave të trajtimit të ankesave, të paraqitura në strukturën e parashikuar në shkronjën “a” të pikës 1 të këtij neni.

2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për përcaktimin e kritereve që duhet të përmbushë struktura e parashikuar në shkronjën “dh” të pikës 1 të këtij neni.

PJESA IX

KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE

Neni 57

Shkeljet administrative

Shkeljet e dispozitave të këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen si më poshtë:

l. Nga struktura përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut:

a) për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenet 9 pikat 3 dhe 4, 11, 18, me gjobë në masën
100 000 lekë;

b) për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenet 7, 8, 9 pikat 1 dhe 2, 12, 30 e 31, me gjobë në masën 1 për qind të xhiros vjetore të vitit financiar paraardhës, por jo më pak se 200 000 lekë;

c) për mosplotësim të kërkesave të parashikuara në nenin 52/1, me gjobë në masën 300 000 lekë;

2. Nga Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorëve:

a) për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenet 14, 15, 17 shkronja “A”, 22, 24, 32 pika
3, 33, 35, 37, 38, 39 e 43, me gjobë në masën 1 për qind të xhiros vjetore të vitit financiar paraardhës, por jo më pak se 300 000 lekë;

b) për shkeljet e dispozitave të parashikuara në nenet 16, 17 shkronja “B”, 25, 27 pika 4, 28 pika 1, 29, 33/1, 40, 41, 45 e 47, me gjobë në masën 2 për qind të xhiros vjetore të vitit financiar paraardhës, por jo më pak se 500 000 lekë;

c) për shkeljet e dispozitave të parashikuara sipas neneve 9 e 39 (për rastet e praktikave tregtare), me gjobë në masën 100 000 lekë;

ç) për mosplotësim të kërkesave të parashikuara në nenin 52/1, me gjobë në masën 300 000 lekë.

3. Nga institucione të tjera:

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë: për shkeljen e dispozitës së parashikuar në shkronjën
“c” të pikës 1 të nenit 9, me gjobë në masën 100 000 lekë;

4. Në rast përsëritjeje, gjobat e parashikuara në këtë nen dyfishohen. Përsëritje vlerësohet rasti, kur shkelësi kryen të njëjtën shkelje për herë të dytë, brenda një periudhe prej 5 vjetësh.

5. Kur Komisioni, në shqyrtimin e kundërvajtjes administrative, konstaton shkaktim dëmi, si pasojë e kundërvajtjes administrative, pas përfundimit të shqyrtimit administrativ, vlerëson edhe masën e dëmit dhe me një vendim të veçantë vendos për shpërblimin e dëmit.
Masa e shpërblimit, si dhe pagesa për vlerësimin e demit i ngarkohen subjektit që ka kryer kundërvajtjen administrative.

Neni 58

1. Gjoba vendoset brenda 2 muajve nga data kur është konstatuar shkelja.

2. Personi që ka kryer shkeljen, duhet ta shlyejë gjobën brenda 10 ditëve nga data e marrjes njoftim për vendosjen e saj.

3. Gjoba e vendosur në zbatim të këtij ligji është titull ekzekutiv dhe ekzekutohet nga zyrat e përmbarimit, në rast se nuk shlyhet në kohë nga personi që ka kryer shkeljen.

Neni 59

Procedurat e ankimit

1. Kundër vendimit të Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve, personi, ndaj të cilit është vendosur masa administrative, ka të drejtë që, brenda 30 ditëve, të kërkojë rishqyrtimin e saj në gjykatë.

2. Kundër vendimit të strukturës përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut, personi, ndaj të cilit është vendosur masa administrative, ka të drejtë të bëjë ankim, në përputhje me nenin 24 të ligjit nr. 9779, datë 16.7.2007 “Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore”.

3. Personi, që ka kryer kundërvajtjen administrative, ndaj të cilit vendoset masa administrative, sipas rasteve të përcaktuara në pikën 3 të nenit 58 të këtij ligji, ka të drejtë të kërkojë rishqyrtimin e saj në institucionet që kanë vendosur masat përkatëse administrative.

Advertisements

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen